Numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë po rritet çdo ditë e më shumë. I madh është edhe numri i personave të vdekur si pasojë e infektimit. Tashmë kapacitetet spitalore janë limituar. Por përkundër, kësaj kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla shprehet kundër mbylljes totale ndonëse thotë se në aspektin shëndetësor veprime të tilla do të ishin të duhura.
Syla deklaron se Klinikat në Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë stërngarkuar me pacientë prandaj kërkon që masat anti-COVID të respektohen.
“Nëse flasim si punëtorë shëndetësorë ne normalisht që kërkojmë të merren masa sepse janë stërmbushur kapacitetet, punëtorët janë të stërlodhur nuk ka më këtu edhe fizikisht edhe mendërisht neve na kishte konvenuar. Por në anën tjetër pasi që shteti është vështirë ta kontrollojë situatën dhe çështja ekonomike është shumë e rëndë për të gjitha bizneset, me të vërtetë vendimi duhet të jetë paksa i matur. Unë jam ithtar i asaj që të mos mbyllet, mirëpo të vendosen masa të cilat duhet të respektohen”, deklaroi ai.
Meqenëse tashmë nga dita e martë edhe në Kosovë ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor dhe mbështetës, Syla thotë se 24 mijë dozat e dhuruara për Kosovën nga COVAX-i janë të mjaftueshme për vaksinimin e mjekëve, por jo edhe për kategorinë tjetër që është paraparë për vaksinim e që janë personat mbi moshën 80 vjeçe dhe ata me sëmundje kronike.
“Këto janë të mjaftueshme për punëtorët shëndetësorë, por mos harroni se me këtë pjesë janë paraparë edhe mosha mbi 80 vjeçe të cilat janë një numër shumë i madh. Andaj dozat janë të pamjaftueshme nëse marrim, por shpresojmë që në të ardhmen do të na vijnë prapë“, theksoi ai.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla e sheh të panevojshme regjistrimin në platformën online të personave të moshuar për t’u vaksinuar.
Madje, ai kërkon sensibilizim më të madh nga institucionet e Kosovës dhe strategji më të mirë për vaksinim.
“Në fillim ka qenë një hezitim, pra pak e kemi një problem sepse nuk kemi një sensibilizim sa duhet që përveç masave mbrojtëse vaksina është arma kryesore në luftën kundër virusit, dhe njerëzit kanë hezituar në fillim. Jam dëshmitar që në ditën e parë mezi kanë dashur me ardhur apo kanë ardhur me skepticizëm, por duhet të punohet shumë më shumë në sensibilizimin e masës për marrje të vaksinave dhe duhet një plan shumë më strategjik. Nuk jam duke më pëlqyer disa gjëra. Nuk është e rrugës që tash t’u thuhet pleqve mbi 80 vjeçe aplikoni online janë disa çështje teknike apo teknologji nuk dinë këta dhe nuk ka edhe kush t’u ndihmojë dhe kishte me qenë edhe më e thjesht që në të gjitha qendrat ata njerëz që janë mbi 80 vjeçe me letërnjoftim të vijnë të paraqiten dhe të vaksinohen dhe jo të bëhen disa drama që janë duke u bërë“, tha Syla.
Vetëm në 24 orëshin e fundit në Kosovë pozitiv me Covid-19 kanë rezultuar 975 persona, ndërsa betejën me këtë virus e kanë humbur edhe 12 qytetarë tjerë. Në total numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 13.874 ndërsa numri i të vdekur ka arritur shifrën 1884.