E theri tetë herë me thikë gruan në prezencë të fëmijëve, Prokuroria kërkon paraburgim për gjakovarin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit M.J., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 31 mars 2021, tek parku i qytetit në Gjakovë, ku i pandehuri me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën R.J., duke e goditur atë tetë herë me thikë, në qafë, gjoks, brinjë e duar. E njëjta nga lëndimet e marra është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

“Rasti ka ndodhur në prezencën e dy fëmijëve të tyre, ku më pas i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin për media.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit M.J., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 31 mars 2021.

Lidhur me këtë rast kishte njoftuar dje edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Një person është arrestuar në Gjakovë, pasi që i njëjti e kishte sulmuar me thikë ish bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe e njëjta është hospitalizuar për tretman të mëtutjeshëm. Thika është konfiskuar ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhej dje në raportin e policisë.