Qendra e transfuzionit të gjakut vazhdon aksionet për grumbullimin e sa më shumë rezervave.
Kërkesë të veçantë ditëve të fundit ka edhe për dhuruesit që kanë kaluar Covid-19 pasi institucionet shëndetësore po i trajtojnë pacientët e infektuar përmes plazmës konvalesente.
Kërkesat për dhurues vullnetar të gjakut janë shtuar dukshëm nga koha kur institucionet po e aplikojnë plazmën konvalesente për trajtimin e rasteve te pacientët me Covid-19.
Profesionistët shëndetësorë tregojnë se kjo mënyrë e trajtimit po jep rezultate.
“Ne plazmën konvalesente tashmë e kemi një rutinë protokolare në aplikimin e rasteve dhe jemi duke dhënë për rastet që kanë nevojë me marrë. Dhënia e plazmës sikur edhe në vende të tjera edhe te ne kemi përvojë 2 mujore është tregu me efekte të mira kur ajo jepet në kohën e duhur dhe te pacientët e duhur. Sido qoftë plazma nuk është një metodë terapeutike e cila bën mrekulli dhe vendos ekskluzivisht për ecurinë e sëmundjes por ajo kur jepet në momentin e duhur dhe te pacientët e duhur tregon efekte të mira”, ka thënë infektologu Sali Ahmeti.
Ndërkaq Imunologu Dukagjin Zogaj shpjegon se kjo praktikë është marrë nga vende ndërkombëtare.
“Dhënia e plazmës konvalesente është një metodë që është përdorë gjatë pandemisë COVID-19 dhe ka dhënë rezultate relativisht të mira, për arsye se duhet plotësohen disa kushte që të përdoret kjo metodë. Sistemi ynë imunitar reagon ndaj patogjenëve të ndryshëm përfshirë këtu edhe COVID-19 dhe në këto raste sistemi imunitar krijon disa trupa që janë të gatshëm të luftojnë të njëjtin patogjen” , thotë Zogaj.
Infektologu Sali Ahmeti tregon se aplikimi i kësaj metode të trajtimit ka disa kritere të cilat duhet plotësuar.
“Plazma është mirë të jepet sa më herët meqë dhënia e saj e hershme tregon efekte shumë më të mira se sa dhënia me vonesë, zakonisht jepet te pacientët në gjendje të rëndë të sëmundjes dhe që janë të pranuar në kohën e duhur kryesisht në ditët e para të sëmundjes dhe të aplikohet sa më shpejtë, ku pas vlerësimeve tona klinike dhe laboratorike konkludojmë se si është gjendja dhe e aplikojmë plazmën “, thotë Ahmeti derisa njëjtë mendon edhe imunologu Zogaj.
“Duhet plotësuar disa kushte ku pacienti duhet ta ketë kaluar këtë sëmundje, pra COVID-19 për së paku 3 javë pas kontaktit fillestar dhe matja bëhet përmes IGG-së e cila trego nivelin e antitrupave në organizëm e cila duhet të kaloj një nivel të caktuar për tu aplikuar sepse ka disa pacientë që nuk krijojnë antitrupa. Sa i përket marrësit të plazmën, sipas protokoleve kjo duhet bëhet pas ditës së tretë të infektimit me Coronavirus dhe metodologjia është e thjeshtë dhe jepen dy doza e cila është e mjaftueshme për të dhënë një mbrojtje pasive”, thekson Zogaj.
Derisa thirrjet e qytetarëve po bëhen në rrjetet sociale për vullnetarët që kanë kaluar Coronavirusin e të cilët kanë ende antitrupa deri në 50 sosh një punë intensive është duke e zhvilluar edhe vet qendra e transfuzionit të gjakut përmes aksioneve të ndryshme.
“Kemi vazhdu rutinën e aksioneve të cilat i kemi realizuar edhe jashtë institucionit tonë dhe po i organizojmë në institucione të ndryshme e në vende të ndryshme, gjithkun ku njerëzit kanë shpreh gatishmëri për dhurim vullnetarë të gjakut. Ne në të njëjtën kohë bëjmë edhe grumbullimin e plazmës konvalesente ku dhuruesi që e ka kalu Covid-19 klasifikohet si dhurues i plazmës konvalesente. Qëllimi është që të kemi sa më shumë dhurues”, ka thënë Albana Gashi, menaxhere për promovim të dhurimit vullnetar në QKKTGJ.
Ndonëse aksionet për grumbullim të gjakut do të vazhdojnë edhe më tutje, nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut bëjnë thirrje për dhurim vullnetar në të gjithë vendin.
“Përkundër faktit që jemi në një kohë pandemie ne vazhdojmë të kemi kërkesa të vazhdueshme nga pacientët me probleme të tjera shëndetësore si rastet e onkologjisë, e në reparte të tjera dhe kemi rezerva por asnjëherë nuk mund të themi se skemi nevojë për dhurues të gjakut ne gjithmonë duhet të vazhdojmë me mbledhjen e rezervave sepse tani kemi kërkesa edhe nga klinika invfektive por kjo po bëhet edhe përmes lajmërimit të familjarëve të pacientëve”, theksoi Gashi për RTK.
Trajtimi i pacientëve me COVID-19 në këtë mënyrë ka filluar nga shkurti i këtij viti pasi institucionet shëndetësore kishin miratuar një udhëzues përmes të cilit u lejua aplikimi i plazmës së gjakut si terapi mbështetëse për të infektuarit me koronavirus.