Sipas raportit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, për 31 mars, në mbarë vendin janë duke u trajtuar 901 pacientë, prej të cilëve, 731 të konfirmuar me koronavirus.
Klinikat plot, stafi mjekësor kërkon shtrëngim të masave
Sipas SHSKUK-së, 684 po trajtohen me oksigjeno-terapi, ndërkaq 32 prej tyre janë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Edhe përkundër këtyre shifrave, qytetarët nuk hezitojnë të ulen në lokale të mbyllura, pa maska dhe pa distancë fizike.
Sipas Manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numri maksimal i lejuari klientëve është një person në tetë metra katrorë.
Pronarët e lokaleve, sipas këtij Manuali, janë të obliguara të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve. Ndërkaq, pronarët e lokaleve janë të detyruar që të zbatojnë masat e parandalimit dhe luftimit të përhapjes së infeksionit sipas këtij udhëzuesi.
Transporti publik, sipas masave në fuqi, lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50 për qind të kapaciteteve dhe duke respektuar Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.
Por, në disa raste autobusët marrin udhëtarë duke tejkaluar edhe kapacitetet normale.
Të grumbulluara dhe pa masa mbrojtëse, qytetarët shihen edhe te stacionet e autobusëve.
Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e ka ngritur si shqetësim të madh mosrespektimin e masave nga qytetarët.
“Është shqetësuese, pothuajse shumë pak respektohen masat. Po të dalësh në qytet shihni pjesën më të madhe të njerëzve që nuk bartin maska, shihni njerëz të grumbulluar në dyqane, lokale, restorante. Është një relaksim i tërësishëm i popullatës dhe kjo mund të kushtojë”, ka thënë Krasniqi.
Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
Masat të cilat janë në fuqi lejojnë punën në tregje, por duke respektuar rekomandimet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja.
Edhe në tregje disa qytetarë shihen duke mos vendosur maskat apo duke mbajtur ato në mënyrë jo të duhur.
Sheshet po ashtu janë të mbushura me qytetarë, të cilët nuk respektojnë në plotni masat kundër pandemisë.
Disa qytetarë mbajnë maska, por rrezikohen nga ata të cilët nuk i mbajnë ato.Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës për mosrespektim ligjit, vetëm brenda pesë ditëve të fundit janë gjobitur 3.473 qytetarë.
Gjobat për mosrespektim të këtij ligji fillojnë nga 35 deri në 2.000 euro, varësisht nga shkeljet.
Rastet me COVID-19 aktualisht trajtohen në Klinikën Infektive, atë të Pulmologjisë, në Klinikën Sportive të Qendrës Klinike Universitare si dhe në spitalet rajonale.
Spitali COVID-19, i planifikuar të vihet në funksion, nuk ka përfunduar ende.
Kosova ka filluar vaksinimin më 29 mars.