Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin britanik Nicholas Abbott.
Sipas njoftimit për media thuhet se Abbott ka uruar Konjufcën për detyrën dhe ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Në këtë kontekst, ambasadori Abbott ka ofruar mbështetje për procesin e reformës zgjedhore, sikurse edhe për punën e Kuvendit të Kosovës bashkë me trupat përcjellëse. Kurse kryetari Konjufca ka falënderuar ambasadorin Abbott për ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova”, thuhet në njoftim.
Konjufca e ka njoftuar ambasadorin Abbott se synim i tij në krye të këtij institucioni është miratimi pa vonesë i ligjeve, zhvillimi i diplomacisë parlamentare dhe këmbimi i praktikave të mira me Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale politike, përmbylljen e procesit me zgjedhjen e presidentes së vendit dhe menaxhimin e situatës me pandeminë.