Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot një konferencë për media.
Në të, ai ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe qëndrimin e partisë së tij në lidhje me këtë.
Hoxhaj nga mediat është pyetur se a është rast i njëjtë ky i Vjosa Osmanit me atë të Hashim Thaçit kur ky i fundit ishte zgjedhur president pasi që kishte dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të partisë.
“Kur zoti Thaçi është bërë president, ju e dini që Isa Mustafa ka qenë kryeministër. Kur Thaçi ishte kryeministër, ne bashkë me opozitën kemi zgjedhur Jahjagën”, është përgjigjur Hoxhaj.
Hoxhaj ka folur edhe lidhur me atë se a do të propozojë PDK një kundërkandidat për Vjosa Osmanin, teksa e ka mohuar kategorikisht një mundësi të tillë.
“Nuk mendojmë se është detyrë e jona që të dalim me kandidat për president. Meqë zgjedhjet i ka fituar Kurti dhe VV, i takon shumicës që të udhëheq një proces të tillë”, ka thënë Hoxhaj.