Arrestohen tre persona për vjedhjen e ditarëve

Tre persona janë arrestuar sot, pasi kishin vjedhur ditarët e shkollës “Hoxha Kadri Prishtina” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është denoncuar në polici më datë 22.03.2021 nga ana e zyrtarëve të shkollës ku sipas tyre ishin vjedhur dhjetë ditarë.

Policia menjëherë pas denoncimit kishte nisur një hetim për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e të dyshuarve.

“Progresi i hetimit të rastit ka rezultuar sot me identifikimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve për të cilët dyshohet me bazë të jenë të implikuar në rastin në fjalë si dhe lokalizimin e vendndodhjes dhe gjetjen e ditarëve të vjedhur. Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dyshuarit janë proceduar më tej”, ka bërë të ditur Policia.