Ademi flet nga Sevilla: Federata e Spanjës na ka kërkuar falje, Kosovës i është bërë pritje e jashtëzakonshme

Kosova nesër zhvillon ndeshjen e dytë në Grupin B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, me kundërshtarin më të vështirë të grupit, Spanjën.

Në Spanjë po qëndron edhe kryetari i FFK-së Agim Ademi, shkruan Gazeta Olle.

Ai foli rreth pritjes që iu bë Përfaqësueses së Kosovës në Spanjë pas skandalit mediatik që u shkaktua atje.

“Unë nuk kam dyshuar asnjëherë në Qeverinë e UEFA-s dhe FIFA-s dhe në rregullat dhe protokollet e UEFA-s dhe FIFA-s të cilat sigurisht që po vërtetohen edhe sot – me himn, me flamur dhe me gjithçka sipas protokolleve të FIFA-s”.

“E dimë që Spanja është një shtet jashtëzakonisht i fortë dhe i lashtë dhe e ka një histori me shqiptarët. Ju e dini që këtu janë varrezat e Asim Vokshit dhe Xhemajl Kadës që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e popullit spanjoll. Pastaj te historia e re e Kosovës dhe të krijuarit e Kosovës shtet është një burrështetas pikërisht i Spanjës i cili ka dhënë urdhër për bombardimin e NATO-s në favor të Kosovës. Ai është Javier Solana. Po ashtu edhe ushtarët spanjollë janë pjesë e NATO-s dhe KFOR-it që edhe sot janë pjesë në Kosovë”.

“Duke i marrë parasysh këto unë asnjëherë nuk kam dyshuar. Unë i falënderoj shumë Federatën e Spanjës që na ka pritur jashtëzakonisht mirë me protokoll dhe jashtë protokollit në mënyrën më të mirë shoqërore. Ju ka ardhur keq për detajet, sepse ka qenë më shumë mediale sesa politike. Besoj që e keni vërtetuar këtë sepse është deklaruar edhe Ministrja e Jashtme, madje nga federata na kanë kërkuar edhe falje. Nuk ka qenë e nevojshme për mua. Ne kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës. Ju e dini që kanë qenë edhe dy zyrtarë të UEFA-s pas deklarimeve të mia se nuk do të luajmë pa himn dhe flamur dhe më kanë garantuar edhe nga Federata e Spanjës se gjithçka do të shkojë sipas protokollit. Dhe ja kjo po ndodh”, deklaroi Agim Ademi për Klan Kosovën.