Rritja ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës mbi të gjitha mbështetja e sektorit privat për një zhvillim ekonomik, do të jenë një sfidë për Qeverinë e re Kurti 2, e cila votua në Kuvend më 22 mars.
Vaksinimi dhe ulja e përhapjes së pandemisë që ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike, sipas njohësve të çështjeve ekonomike duhet të jetë prioritet në rend të parë me një angazhim dhe përkushtim nga kryeministri Albin Kurti.
Eksperti i ekonomisë Lekë Musa thekson për KosovaPress, se problemi thelbësor qëndron mbi atë se pritjet janë shumë të mëdha nga qytetarët prej Qeverisë së re, e në anën tjetër siç tregon ai plani ekonomik i cili është prezantuar nga partia e Albin Kurtit nuk do të mund të bëj një arritje të madhe.
Musa: Pritjet e qytetarëve janë jashtëzakonisht të mëdha
“Problemi qenësor mendoj se pritjet e qytetarëve janë jashtë zakonisht të mëdha dhe një pjesë mund të themi të arsyes për këto pritje janë kritika e vazhdueshme e partisë në pushtet, edhe mund të themi premtimet që i ka dhënë kanë qenë të jashtëzakonshme dhe si të tilla prandaj qytetarët kanë një pritje që kjo qeverisje e re në një farë forme mund të themi të bëj një punë të jashtëzakonshme, e cila në një situatë të cilën është Kosova, është mjaft e vështirë, sepse edhe nevojat janë të jashtëzakonshme”, thekson Musa.
Sipas Musës, Kosova ka normën e papunësisë më të lartë krahasuar me vendet e rajonit. Musa shton se për të zvogëluar papunësinë dhe për të arritur një efekt të madh në aspektin engritjes së mirëqenies, nuk mjafton një qeverise apo një mandatë katër vjeçar.
Ai thekson se për të pasur një rritje ekonomike duhet pasur një vizion më afatgjatë, i cili do të reflektohet pastaj në zhvillim ekonomik.
Musa: Nuk pres që do të kenë efekt të menjëhershëm
“Me thanë të drejtën gjatë kësaj fushate s’kemi dëgjuar shumë sa i përket një plani ekonomik, mirëpo nga fushatat paraprake pak a shumë mund ta dimë se cilat kanë qenë premtimet. Këto premtime, nëse mund të themi grupohen për masat kundër korrupsionit, pastaj ka të bëjë me politikat sociale, edhe e treta një angazhim ose një rol më aktiv të sektorit publik apo të Qeverisë në ekonomi dhe të gjitha këto masa siç e thash nuk pres që do të kenë efekt të menjëhershëm në rritjen ekonomike. Mirëpo këto do të kenë një efekt pozitiv dhe në çështje të tjera të drejtësisë dhe barazisë në përgjithësi. Presim efektet pas disa viteve”, thotë ai.
Po kështu po mendon edhe eksperti tjetër i ekonomisë Safet Gerxhaliu, i cili thotë se Kosova e ka një qeveri normale në rrethana jonormale. Sipas tij, ndryshimi i shpejt është i pamundur të ndodhë pa reforma.
Gërxhaliu: Kosova e ka një qeveri normale në rrethana jo normale
“E mira që është për momentin në Kosovë, është që kemi vërtetë një qeveri stabile, sepse të kesh më tepër se 50% të votave dhe 58 deputetë në Parlamentin e Kosovës është një garancë e stabilitetit politik, në rend të dytë besoj që pajtohemi që pritjet janë shumë të mëdha nga kjo qeveri dhe në këtë drejtim besoj që nuk duhet të pritet një periudhë kohore të shkurtë ndryshimi, por vetë fillimi i ndryshimit sepse është e pamundur të ndodhë ndryshimi pa reforma. Në këtë drejtim besoj që kjo është sfida më e madhe, dhe e dyta besoj që pajtohemi se Kosova e ka një qeveri normale në rrethana jonormale, këtë jonormalitet e bën pandemia Covid-19, e bëjnë jonormale rrethanat e problemeve të trashëguara nga e kaluara, sepse janë probleme të grumbulluara në 20 vitet e fundit. Kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti që presioni diplomacisë ndërkombëtare është shumë i madh për dialog dhe për normalizim të raporteve jep një peshë të shtuar sfidave që do të ballafaqohet kjo qeveri”, thekson Gërxhaiu.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu thekson se në aspektin afatshkurtër është urgjente të ketë një qasje më proaktive sa i përket vaksinimit dhe uljes zvogëlimit të përhapjes së pandemisë.
Gërxhaliu: Pandemia Covid-19 e ka ndryshuar qasjen në aspektin politik dhe ekonomik
“Është e vërtetë që në këto zgjedhje të fundit nuk ka pas shpalosje të programeve në formën qysh jemi mësuar në të kaluarën, por dua të besoj që këto sfida janë të njohura dhe në këtë drejtim duhet vetëm një koordinim i gjitha këtyre aktiviteteve. Duhet ta kemi parasysh që pandemia Covid-19 e ka ndryshuar qasjen edhe në aspektin politik edhe ekonomik edhe social dhe në këtë drejtim besoj që është e mundur që të këtë vërtet një seriozitet në qasjen deri të zgjidhen në këto probleme, por e vërteta duhet këto probleme të ndahen në dimension kohor afatshkurtër, apo urgjent, afatmesëm apo afatgjatë. Në aspektin afatshkurtër është urgjentë të kemi një qasje më proaktive sa i përket vaksinimit dhe uljes së tensioneve të pandemisë, e dyta ka të bëjë me aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm dhe ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike, ku Kosova ka ngecë”, thotë Gërxhaliu.
Ndërsa, në ekspozenë e tij, kryeministri Albin Kurti më 22 mars, ka theksuar se në qeverisjen e tij do të punojnë për progres në ekonomi, në zvogëlim të papunësisë dhe rritjes së mundësive për të gjithë.