Numër i madh i deputetëve të Kuvendit të Kosovës tashmë kanë arritur në sallën e Kuvendit të Kosovës ku do të bëjnë betimin e tyre për legjislaturën e tetë me radhë.
Disa për herë të parë e disa për të disatën herë me radhë tashmë janë duke u regjistruar në hyrje të sallës së Kuvendit të Kosovës.
58 deputetë do t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje, kurse Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, duke vazhduar me LDK-në që do të ketë 15 deputetë, kurse AAK me tetë deputetë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës do të jetë edhe një numër mjaftë i madh i përfaqësuesve nga komunitetet në Kosovë.
Shumica prej deputetëve tashmë kanë filluar të zënë vendet e tyre ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari i cili do të drejtojë këtë seancë konstituive bashkë me Adelina Graincën, deputeten më të rë e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Pritet që Glauk Konjufca nga radhët e VV-së të emërohet Kryetar i Kuvendit, ndërsa nuk janë bërë të ditur ende emrat e nënkryetarëve të cilët do të emërohen sot.
Pas zhvillimeve në këtë seancë konstituive të Kuvendit të Kosovës pritet që sot të bëhet edhe votimi i formimit të Qeverisë së Kosovës, e një gjë e tillë është konfirmuar pak më parë edhe nga zyrtari i VV-së, Taulant Kryeziu.
Qeveria e re pritet të drejtohet nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si fitues të zgjedhjeve të 14 shkurtit.