Njohës të çështjeve ndërkombëtare dhe të sigurisë vlerësojnë se vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është çështje e interesit kombëtar. Megjithatë vlerësojnë se ky veprim mund të prolongojë edhe më shumë procesin e njohjes së Kosovës nga vendet islamike. Ndërsa shërben si thirrje për 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që të bëjnë një gjë të tillë.
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë për KosovaPress se vendosja e Ambasadës në Jerusalem mund të ndikojë tek 58 vendet anëtare të Organizatës së Shteteve Islamike që të mos njohin shtetin e Kosovës.
“Në kuptimin emocional besoj që do të ketë efekte negative, këtu e kam fjalën për Organizatën e Shteteve Islamike, 58 anëtare të kësaj organizate do të rimendojnë dhe do të vazhdon trendi i refuzimit të njohjes të Republikës të Kosovës. Ndërkohë që, nga akterë të tjerë, të cilët kanë njohur Republikën e Kosovës nuk besoj se do të ketë efekte negative, sepse çështja e politikës së jashtme është çështje e diskrecionit të brendshëm të shteteve. Pra, asnjë shtet nuk e pyet shtetin tjetër se me kë duhet të mbajë marrëdhënie diplomatike e me kë jo”, thotë ai.
Se shtetet vendosin vet se më kë duan të mbajnë marrëdhënie diplomatike, Hoti thotë se e dëshmon politika serbe, e cila edhe pse mban raporte shumë të mira me Moskën mëton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Argument që mund të përdoret në këtë drejtim është politika serbe, e cila edhe përkundër qëllimit për të qenë pjesë e BE-së, tash e sa kohë mban raporte shumë të ngushta me Moskën zyrtare, pra me një kundërshtar shumë të fuqishëm të Bashkimit Evropian. Mbi këtë bazë, nuk pres ndonjë efekt negativ sepse fundja njohja nga Izraeli dhe vendosja e ambasadës në Jerusalem nuk është çështje e dëshirës së autoriteteve kosovare, por më shumë se dëshirë është çështje tipike e interesit kombëtar”, thotë Hoti.
Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Drizan Shalën, vendosja e Ambasadës në Jerusalem shërben si thirrje për 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që të bëjnë një gjë të tillë.
“Kosova në aspektin historik i ka pasur partner strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendosja e ambasadës në Jerusalem është në linjë të drejtpërdrejt me politikën e jashtme të ShBA-ve, pavarësisht cili president apo fraksion e udhëheq Shtëpinë e Bardhë. Sa i përket reagimit të BE-së, ne e kemi parë se BE-ja është indiferente sa i përket interesave të Kosovës në raport me vendet e caktuara. Pra, vendosja e ambasadës tonë në Jerusalem është një hap i drejtpërdrejt dhe i duhur dhe një indikator dhe tregues i qartë edhe për 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që duhet të bëjnë një hap të tillë, sepse Kosova dhe Serbia e kanë vendin e tyre në BE”, thotë ai.
Përpara se Kosova të vendoste marrëdhënie diplomatike me Izraelin, Bashkimi Evropian ku Kosova mëton të jetë pjesë e tij, e ka kundërshtar hapjen e Ambasadës të Kosovës në Jerusalem.