Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka bërë të ditur se ka marrë një telefonatë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka konfirmuar sigurimin e vaksinave të para për punëtorët shëndetësorë që do t’i marrin në Kukës.
I pyetur se a ekziston ndonjë mungesë komunikimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës Sindikale të Shëndetësisë lidhur me procesin e vaksinimit të personelit shëndetësor nga Kosova në Kukës, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se të gjitha komunikimet i kanë bërë me Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se nuk është kompetent për t’i komentuar komunikimet që sindikata i bën me shtetet tjera.
“Asnjë neglizhencë. Asnjë komunikim sa i përket komunikimit me sindikata. Ka pasur raste kur në mesnatë kanë kërkuar takim, unë i kam pritur herët në mëngjes. Asnjë kërkesë dhe asnjë adresim nuk e kam pasur nga sindikatat përveç asaj që është dëgjuar nëpër rrjete sociale. Ne kemi komunikuar me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, komunikimet tjera nuk i dimë dhe nuk jemi kompetent t’i përcjellim. Gjithçka ka ndodhur përmes vijës institucionale, se si adresohen partnerët tjerë me shtetet tjera, nuk do të duhej të ishin problem i yni. Dokumentacioni dhe faktet ekzistojnë, për të tjerat nuk jemi të njoftuar”.