Agron Demi, nga Institutin “GAP” në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë që e sheh si absurde ndryshimin e ligjit për zonat ekonomike nga qeveria në detyrë.
Ai thotë se ky ligj nuk ka pasur asnjë efekt dhe asnjë përparim për sa i përket zonave ekonomike.
“Qeveria Hoti ka filluar me ndryshmin e ligjit për Zonat ekonomike, me arsyeshmërinë që ligji aktual nuk jep qartësi ligjore sa i përket kompetencave dhe ka mosqartësim edhe sa i përket zonave të lira ekonomike që është një absurd sepse që nga viti 2009 ekziston ligji edhe pse është ndryshuar i tëri në vitin 2013, por baza kryesore ligjore nuk ka ndryshuar çka do të thotë që prej atij viti, e deri më tani kemi pasur ligje dhe kemi pasur praktikë të krijimit të zonave të lira ekonomike e ku institucionet nuk e kanë pasë të qartë as procedurat e as çka po kërkojnë me një ligj të tillë. Dhe nuk është e befasishme që ky ligj thuajse nuk ka pasur as një efekt sa i përket qëllimeve që janë promovuar me ligj siç është thithja e investimeve, rritja e punësimit, zhvillimi ekonomik”, tha Demi.
Demi thekson që në bazë të numrit të zonave ekonomike dhe bizneseve të vendosura aty, duhet të jetë numri i bizneseve më i madh, dhe vendosja e këtyre bizneseve të natyrave të ndryshme ka prodhuar edhe shumë pengesa më pas.
“Në bazë të Ministrisë së Tregtisë janë diku 10 zona ekonomike, të cilat menaxhohen prej kësaj ministrie dhe nuk ka informacione se sa biznese janë në të gjitha këto zona, por në ato zona që vetëm janë publiku informacionet janë diku 76 biznese të vendosura në zona të ndryshme ekonomike por numri duhet me qenë më i madh për shkak se ministria e tregtisë për disa prej tyre nuk ka publikuar të dhëna, dhe janë diku mbi 420 hektarë hapësirë në të gjitha komunat e Kosovës, ajo që është identifikuar edhe me projektligjin dhe me një koncept dokument të ministrisë së tregtisë për arsyeshmërinë e ndryshimit të ligjit për zonat ekonomike është që nuk ka pasur deri më tani ndarje të zonave ekonomike në bazë të aktivitetit ekonomik, që do të thotë janë vendosur biznese të natyrave të ndryshme çka ka paraqitur edhe pengesa për këto biznese, p.sh ka pasur biznese të prodhimit të letrës, por edhe çerdhe si në Suharekë, pra nuk ka pasur zona që krijojnë një grumbullim të bizneseve të caktuara”, theksoi tutje ai.
Zonat ekonomike janë shumë të nevojshme e thotë ai, sepse ju krijohen lehtësira bizneseve por që si pasojë e zvarritjes së punimeve shumë nga bizneset janë largu nga ato zona.
“Zonat ekonomike janë të nevojshme për shkak se ashtu siç është ideuar fillimisht me ligj, edhe siç kanë bërë të gjitha shtetet e rajonit sidomos Maqedonia. Me zona ekonomike ju krijohen disa lehtësira bizneseve ndër to: qeraja më e favorshme e kushtet e tjera që është furnizimi uji, rryma, e infrastruktura. Ajo çfarë ka ndodhur viteve të kaluara është që ndërtimi i zonave ekonomike ka zgjatur me vite të tëra, ka shumë raste kur bizneset edhe pse kanë nënshkruar kontratë për me u vendos zona ekonomike, janë largu për shkak se janë zvarrit punimet edhe pse ekzistojnë tri zona ekonomike të ndërtuar me vendim të qeverisë, dhe nuk ka ende qartësi dhe veprim konkret për me ju kriju lehtësira tatimore këtyre bizneseve”, u shpreh Demi.
Ai vlerëson që me ligjin e ri dhe ndryshimet e saj nuk do të ketë favore apo lirime tatimore për ato biznese, dhe kjo e largon iniciativën që ka ekzistuar deri më tani.
“Ligji i ri apo ndryshimet që janë promovuar prej qeverisë në dhjetor të vitit kaluar e largojnë komplet këtë zonën e lirë ekonomike çka do të thotë tash e tutje nëse aprovohet ligji i ri në Kuvend, as me ligj nuk do të ketë favore apo lirime tatimore për ato biznese që vendosen në zona ekonomike dhe kjo e largon edhe atë iniciativë që ka ekzistuar deri më tash, sepse ka shumë biznese ndoshta pse janë stabilizuar në pjesë të ndryshme të Kosovës, dhe nuk kanë nevojë të vendosen në zona ekonomike nëse nuk kanë një përfitim shtesë për me u zhvendos në ato zona. Në anën tjetër zonat ekonomike nuk kanë qenë fare të suksesshme sa i përket thithjes së investimeve të huaja direkte, nuk ka raste kur një biznes ka ardhur në Kosovë për me investuar sepse ka pas favore apo kushte të mira ekonomike”, tha ai.
Demi tha që shumica e zonave ekonomike janë vendosur në ato pjesë të komunave ku partitë kanë dëshiruar të fitojnë vota më shumë.
“Ne në raportin tonë që kemi publikuar para disa ditësh, kemi thënë që edhe ndryshimet në ligjin për zonat ekonomike prej qeverisë Hoti në dhjetor nuk ka iniciativa të mjaftueshme dhe nuk ka me ndryshu asgjë sa i përket motivimit të bizneseve që të vendosen në këto zona ekonomike, edhe që të ketë një gjenerim të vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik, dhe duhet një ndryshim rrënjësor të ligjit për zonat ekonomike, ligji është i domosdoshëm por duhet të krijohen favore tjera e ndër to është mos të largohet lehtësira doganore sepse ajo i krijon probleme tjera atyre bizneseve që të vendosen në këto zona ekonomike. Dhe shumica e zonave ekonomike janë vendosur në ato pjesë të komunave ku partitë kanë dëshiruar me fitua vota më shumë apo kanë pasur përfitime direkte prej shpronësimeve”.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj thotë që Kosova edhe pse pretendon të jetë si shtetet e zhvilluara, duhet ta ketë parasysh që tregu vendor nuk mund t’i absorbojë këto zona ekonomike.
“Kjo është mese e qartë që Kosova pretendon të jetë në ekonomi të tregut dhe të jetë pjesë e shteteve të cilat funksionojnë në këtë mënyrë, kështu që Kosova e ka në mënyrë të patjetërsueshme funksionimin përmes zonave ekonomike. Por që duhet të kemi një sqarim për opinionin, se zonat ekonomike duke pasur parasysh që Kosova është një shtet i vogël nuk mund ta absorbojë këtë treg kështu që këto të vetmin rol ekonomik që mund të ndikojnë në rritje ekonomike është përmes distribuimit, në shtetet e rajonit dhe më gjerë, duke i krijuar ato si pika prodhimit ose të referimit për tregti që funksionojnë në gjithë botën, në këtë drejtim është mirë por duhet ta kemi të qartë që tregu vendor nuk mund ti absorbojë këtë fuqi të zonave ekonomike që kështu është pretenduar në shumë qytete të Kosovës që është diçka e mirë, por që Kosova nuk mund ta absorbojë krejt këtë”, tha Kadrijaj.
Tutje ai thotë që është bërë pak në këtë drejtim, por patjetër pa mohuar faktin që Kosova si një shtet i vogël, dhe kostoja që kërkojnë Zonat Ekonomike e vështirëson procesin dhe ndikimi i ndryshimit të qeverive e kompleton krejt këtë vështirësi në këtë proces.
“Është e natyrshme që është bërë pak por duhet të kemi edhe një gjë që Kosova ka edhe pak vite që funksionon si shtet me drejta të veta dhe është e natyrshme sepse mundet të krijohen dhe tu ipen drejtë juridike zonave ekonomike, por që duhet edhe të jetësohen nga na ekonomike që kërkohet një kosto se duhet thjesht të shikohet urbanizmi, infrastruktura teknike që kushton, por e di që ka shumë zona që janë duke u përgatitur por duhet të dimë që Kosova ka pasur qeveri që nuk kanë zgjatur as në një mandat të plotë dhe kanë pasur problem në qeverise dhe tash presim që qeveria e re ti jetësojë këto zona ekonomike”, u shpreh tutje ai.
Theks të veçantë Kadrijaj jep edhe tek fokusi i partive politike dhe interesat që kanë në këto zona ekonomike, dhe sipas tij thelbi kryesor duhet të jetë tek interesi ekonomik sesa ai personal.
“Duhet të jetë e qartë që të mos bëhen zonat ekonomike për interesa politike apo të partive ndryshme, por interesin ekonomik dhe zhvillimi i bizneseve vendore dhe përkrahja e tyre, dhe tani e tutje u bëj thirrje qeverisë që vjen që qëllimin ta kenë në ndaljen e dyndjes së rinisë kosovare që kanë interes të dalin jashtë vendit dhe ndoshta këto zona ekonomike do mund të ndikonin tek ta”, theksoi Kadrijaj.
“Po gjithsesi politikbërja bëhet përmes partive politike dhe pluralizmit kanë dhe interesa liderët e ndryshëm dhe partitë politike në një lloj mënyrë në bastione të ndryshme, por që kudo ku vendosen ato zona ekonomike prapë e kanë interesin e vet ekonomik që ata mund të kenë një interes për vete po kryesorja është interesi ekonomik”, përfundoi ai.