​S’ka liberalizim të vizave, Von-Cramon i kërkon qeverisë së ardhshme t’i bindë vendet skeptike

Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duket në horizont as këtë vit. Pandemia dhe zgjedhjet në disa shtete evropiane, pritet ta pamundësojnë vendimmarrjen e Këshillit të BE-së, për lëvizjen e lirshme të kosovarëve në zonën shengen. Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon i kërkon qeverisë së ardhshme të punojë dhe përfshihet në dialog me vendet skeptike për t’i bindur se meriton liberalizimin e vizave.

Në një përgjigje për KosovaPress, ajo thotë se më e rëndësishmja që të bindet është qeveria franceze.

“Liberalizimi i vizave është në dorën e Këshillit: Janë vendet anëtare të BE-së ata që do të duhet të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë. Rruga përpara është të sigurohemi që Qeveria e Kosovës të përfshihet në një dialog me ato shtete anëtare, të cilat janë skeptike për momentin. Më e rëndësishmja, qeveria franceze duhet të bindet se Kosova është e gatshme për liberalizimin e vizave. Ata duhet të sigurohen që çdogjë që Franca ose shtetet e tjera anëtare do të kërkojnë mund të adresohet nga autoritetet kosovare, nëse mund të përcaktojnë aspekte të caktuara pse hezitojnë deri më tani, Kosova duhet t’i përmirësojë këto aspekte”, thotë ajo.

Të pashpresë se liberalizimi i vizave do të ndodh gjatë këtij viti janë edhe njohësit e integrimeve evropiane.

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha rendit për KosovaPress disa prej arsyeve pse e sheh të pamundshme një gjë të tillë.

“Për dy arsye nuk prej ndonjë progres sa i përket liberalizimit të vizave në vitin 2021. Arseja e parë është pandemia dhe duhet të njohim faktin se jetojmë me një realitet të ri politik…Duhet të njohim faktin se ka zgjedhje në vende të BE-së, respektivisht Holandës dhe Gjermanisë. Këto zhvillime politike do të pengojnë ndonjë vendim sa i përket hapjes së kufijve me vendet e treta. Në veçanti në kohë të pandemisë…Nuk shoh po thuajse asnjë mundësi që të ketë liberalizim të vizave në vitin 2021”, deklaron ai.

Ndërsa, Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim (D4D) thotë se kjo çështje varet edhe nga presioni që mund të bëjë qeveria e ardhshme Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian është vonuar sa i përket liberalizimit të vizave. Mendoj që kjo do të varet edhe nga qeveria jonë sa do të bëjë presion për këtë çështje. Nuk mendoj që duhet t’i mbajmë shpresat tek Portugalia, apo një shtet tjetër. Por duhet të ngritëm këtë çështje në mënyrë të vazhdueshme. Mendoj që është obligim i qeverisë në ardhje ta mbajë lartë në listën e prioriteteve këtë çështje…Duke marrë parasysh Covid 19, problemet me vaksina, me udhëtime, gjithashtu edhe problemet politike nga Franca, Holanda dhe Danimarka nuk mund të presim diçka pozitive”, thotë ai.

Edhe vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por për të ndodhur kjo, secili nga shtetet anëtare të BE në Këshillin Evropian, duhet ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Prej muajit janar udhëheqjen e Këshillit e ka marrë Portugalia.

Ndërkohë, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.