Ish-minsitrja e Drejtësisë: Lënda e Agonis Tetajt t’i kthehet prokurores Gashi, që qëllimshëm ky rast i ishte marrë nga kompetenca

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandar Lumezi mori vendim që të largojë nga rasti i vrasjes së Agonis Tetajt, prokurorin Agron Uka.

Lumezi mori vendim që rastin në fjalë ta marrë në drejtim dikush tjetër derisa paralajmëroi masa për të gjithë njerëzit e kyçur në këtë rast.

Pas kësaj ka reaguar ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e cilësoi këtë vendim si të duhur dhe të drejtë derisa tha se rasti në fjalë do të duhej të drejtohej nga prokurorja e parë e rastit, Sahide Gashi.

Ajo tha se kjo lëndë duhet t’i kthehet Gashit pasi ajo e nisi dhe e përfundoi atë lëndë në mënyrë profesionale.

Postimi i plotë:

Vendimi për ndryshimin e prokurorit në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj është i duhur dhe i drejtë.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurorja e parë, Sahide Gashi, e cila ishte ngarkuar për hetimin e vrasjes së të ndjerit Agonis Tetaj, dhe e cila më është dërguar nga babai i të ndjerit, thuhet se “i pandehuri me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj”

Aktakuza 15 faqëshe e prokurores Gashi është shumë profesionale. Mbeten për tu hetuar arsyet e vërteta se si dhe pse prokurori Haxhi Dërguti, kishte transferuar lëndën nga Peja në Gjilan!

Pastaj fotografia që qarkulloi mbrëmë ku shihet avokati i të pandehurit, prokurori i rastit dhe kryeprokurori Maloku që kishte caktuar prokurorin Uka është skandal dhe njollë e madhe mbi sistemin e drejtësisë.

Duke pasur parasysh që prokurorja Gashi, që nga fillimi ka qenë duke e hetuar rastin dhe ka ngritur aktakuzën kundrejt të pandehurit, kjo lëndë duhet t’i kthehet asaj pasi që ajo e ka nisur dhe do ta përfundonte këtë lëndë në mënyrë profesionale. Pikërisht për shkak profesionalizmit të saj, duket hapur që qëllimshëm ky rast i ishte marrë nga kompetenca!