Edhe pse numri i viktimave nga COVID-19 është rritur si dhe numri i rasteve aktive është shumë i lartë, masat antiCOVID do të vazhdojnë të jenë të njëjta.
Kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Pas takimit që pati më përfaqësuesit e institucioneve përkatëse që lidhen ngushtë me shëndetësinë, Hoti tha se qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat aktive.
Por ndër të tjerash Hoti deklaroi se përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil.
Ai u deklarua gjithashtu edhe për vaksinën anti-COVID që ende asnjë dozë nuk ka arritur në Kosovë dhe vazhdojmë të jemi ndër shtetet e pakta që nuk kanë siguruar ende vaksinën anti-COVID.
Hoti u shpreh shpresëdhënës për vaksinën e llojit COVAX, ku tha se me t arritur do të fillojë vaksinimi i qytetarëve.
“Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, tha ai.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, në takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj, kanë biseduar për gjendjen më pandeminë Covid-19.
Është vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi që është vlerësuar se trendet janë stabile. Ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.
Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve.
Edhe në këtë takim, qytetarëve u kërkohet që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid -19, që të ngritin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.
Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve.