Presidenti i FFK-së, Agim Ademi së bashku me homologët e tij nga Italia dhe Maqedonia e Veriut, Gabriele Gravina e Muamed Sejdini si dhe me nikoqirin, Armand Duka kanë vizituar Tiranën gjatë ditës së djeshme.
Federatat kanë biseduar për thellim të bashkëpunimit dhe zhvillimin turneve për të rinj së bashku.
Ajo që bie në sy në komunikatën e lëshuar nga FFK, thuhet se: “Presidenti Ademi diskutoi me presidentin e FICG, Gravina edhe mundësinë e zhvillimit të ndeshjes miqësore me Italinë, kurdo kur këtë e mundësojnë datat e lira të UEFA-s e FIFA-s”.
Mbetet të shihet se a do të kemi të reja rreth kësaj miqësoreje, apo do të mbetet sikurse shumë premtime tjera në letër, shkruan GazetaOlle.
Kombëtarja e Italisë ka përkrahje të madhe në Kosovë, ndërsa mundësia për miqësore është e madhe pasi presidenti Gravina ka parasysh edhe numrin e madh të futbollistëve shqiptarë që luajnë në Itali.
Aktualisht në Serie A nga ekipi A i Kosovës luajnë, Vedat Muriqi (Lazio), Amir Rrahmani (Napoli) dhe Mërgim Vojvoda e Samir Ujkani (Torino).