Ish-Kryetari i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, në një prononcim për IndeksOnline ka vlerësuar se kërkesa e disa partive politike në Kosovë që të rinumërohen të gjitha votat e 14 shkurtit është e pavend dhe ekstreme.
Baraliu ka thënë se nuk duhet humbur kohë për gjëra që nuk kanë rëndësi dhe dobi.
Njëkohësisht, njohësi i çështjeve Kushtetuese, Baraliu shtoi se 208 ankesat e kandidatëve për deputet do duhej të trajtoheshin me seriozitet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa dhe Gjykata Supreme.
Sipas tij, me këtë do të mjaftonte çështja e rinumërimit.
“Mundet të ketë arsyetim ligjor për kërkimin e rinumërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve por KQZ-ja nuk e ka bërë, ajo ka vlerësuar që disa vendvotime të rinumërohen votat dhe kjo është kryer tanimë dhe pritet vendimi i Gjykatës Supreme, që është përfundimtar që të vendoset nëse ka nevojë të bëher rinumërimi i plotë.
Por, unë mendoj që nuk ka nevojë që të bëhet rinumërimi i sërishëm, është kërkesë, mendoj unë, e pavend, ekstreme, për arsyje se aty ku janë numëruar votat e partive kanë qenë të gjithë komisionerët “sy e vesh” dhe mendoj se aty nuk ka pasur dhe s’ka pasur mundësi të ketë abuzime”, tha ai.
Ai shtoi se rinumërimi i 95% të vendvotimeve në zgjedhjet e kaluara nuk solli asnjë rezultat por vetëm dëmtim të procesit zgjedhor.
Baraliu pati edhe një porosi për partitë politike. Ai tha se partitë politike kanë përgjegjësinë kur ndodhin abuzime me vota, për shkak të dërgimit të militantëve për komisionerë.
“Abuzimet si duket kanë ndodhur dhe po ndodhin hërë pas herë kur po bëhet numërimi i votave të kandidatëve, prandaj ato 208 ankesa që janë bërë do duhej të trajtohen me seriozitet nga PZAP-i dhe Supremja dhe do të mjaftoj sepse kjo formë e rinumërimit, herën e kaluar [ në zgjedhjet e 2019] kryesuesja e KQZ-së tha se 95% e vendvotimeve janë rinumëruar, mos paqin qenë 98%, dhe në realitet nuk doli asgjë, nuk e ndryshoi rezultatit por do ta cëntonte procesin zgjedhor dhe integritetin.
Kështu që nuk duhet humbur kohë për gjëra që nuk kanë ndonjë dobi dhe rëndësi, prandaj në herat e tjera partitë politike e kanë përgjegjësinë kur i dërgojnë atje militantët e tyre komisionarë dhe klientelistë të cilët edhe mund të bëjnë veprime të tilla, ajo duhet të ndërpritet”, tha Baraliu.
Ndryshe, Gjykata Supreme nesër ka afatin e fundit për të dhënë vendimin përfundimtar për 208 ankesat.