Hoti: Mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, kanë vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta anti Covid-19.

Në këtë takim u theksua se institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve.

Nga qytetarët u kërkua që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.