Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi nuk është pajtuar me kërkesën e anëtarit të AAK-së, Ibrahim Selmanaj që të ndodh rinumërim i plotë i të gjitha votave.
Kurteshi ka thënë se në rast se kjo do të ndodhte atëherë ky proces do të merrte konotacion politik.
“Nuk jam pajtuar që ky ka qenë procesi më i mirë zgjedhor, por kërkesa për rinumërim të plotë i tejkalon kërkesat ligjore, dallimet e mospërputhje shihen mirë se ku janë. Unë e kuptoj që gjithmonë ata që marrin më pak vota, nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatin”, ka thënë Kurteshi.
Ai ka shtuar se një rinumërim i plotë atëherë tejkalon çështjet e karakterit juridik.
“Një rinumërim i plotë merr karakter politik dhe i tejkalon çështjet e karakterit juridik. Nuk ka shenja që është i domosdoshëm rinumërimi i plotë. Nëse kjo ndodh do të ishte shenj e qartë që ky proces zgjedhor ka qenë krejt i kriminalizuar dhe i keq”, tha Kurteshi.
Reagim pastaj pati nga Ibrahim Selmanaj nga AAK, i cili tha se rinumërimi i votave është mënyrë demokratike.
“Është demokratike edhe rinumërimi i votave. Ky është propozim i një subjekti politik që ka garuar në zgjedhje”, tha Selmanaj.