Skandali i Meliza Haradinajt: Këta janë dy të arrestuarit për manipulim të votave

Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka ndaluar dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe dhënie apo marrje të ryshfetit në lidhje me votimin.

Përmes një komunikate për medie, Prokuroria bën të ditur se të ndaluarit janë A.K dhe S.M.

Pas Arbër Krasniqit, Sahit Mataj është komisioneri i dytë që është arrestuar për manipulim të votave në Qendrën e Rinumërimit dhe Rezultateve.

Ky aksion i Prokurorisë vjen pas publikimit të një video incizimi ku paraqiten manipulimet me vota, pjesë e të cilit dyshohet të jetë Dardan Stublla, bashkëshorti i ish-kryediplomates kosovare dhe kandidates për deputete nga AAK, Meliza Haradinaj Stublla.

Pas këtyre raportimeve, të martën Haradinaj Stublla dha dorëheqje nga pozita e ministres së Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha pozitat në AAK.

Pakënaqësi kanë shprehur edhe shumë kandidatë të tjerë për deputet nga subjektet politike, ku shumë prej tyre kanë kërkuar rinumërim total të votave.