Dënohen me gjobë DJ Blunt dhe Real 1 për posedim të paautorizuar të marihuanës

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë shpallur fajtorë të pandehurit, Edon Dedi apo i njohur me emrin artistik “Dj Blunt” dhe Ilir Zhita i njohur me emrin artistik “Real 1”, të akuzuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Gent Beka, i akuzuari Edon Dedi është dënuar me gjobë prej 350 euro dhe gjashtë muaj burg, ndërsa i akuzuari tjetër Ilir Zhita është dënuar me gjobë prej 300 euro dhe gjashtë muaj burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent ne shpallje te aktgjykimit ishte i akuzuari Edon Dedi, ndërsa mungoi i akuzuari Ilir Zhita.

Me pëlqimin e të akuzuarve dënimi me burg u është shndërrua në dënim me gjobë prej 600 euro.

Po ashtu, gjykata të njëjtit veç e veç i ka obliguar edhe në pagimin e shpenzimeve gjyqësore dhe atë paushallin gjyqësor në shumën prej 20 euro si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.

Tutje gjykatësi Beka deklaroi se të pandehurit Edon Dedi i është konfiskuar sasia e substancës narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 10.5 gram, dhe të pandehurit Ilir Zhita po ashtu i është konfiskuar sasi prej 3.2 gram.

Gjobën të akuzuarit janë të obliguar ta paguajnë në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës, me datë 27 janar 2019, rreth orës 14:30, në lagjen “Ulpiana” tek rrethi i Fontanës në Prishtinë, njësiti Policore kanë ndaluar veturën Edon Dedi si dhe me të gjendej pasagjeri Ilir Zhita, gjatë kontrollimit nga ana e Policisë, tek i dyshuari Edon Dedi janë gjetur një sasi e substancës narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 10.5 gram, ndërsa tek i dyshuari Ilir Zhita po ashtu është gjetur sasi prej 3.2 gram si substancë e llojit marihuanë, të cilën sasi e kanë poseduar pa autorizim.

Me këtë të pandehurit kanë kryer veprën penale, posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 275 par.1 të KPRK-së.