Sot, në një ceremoni të organizuar në ambientet e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës në të cilën ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti me bashkëpunëtorë, si edhe Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, Policia e Kosovës ka marrë një donacion 5 qensh për njësinë “K9”.
Dorëzim-pranimi i këtij donacioni u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë Maria Suokko.
Për pjesëmarrësit u bë një prezantim i shkurtër i qenve në veprim nga pjesëtarë të njësisë “K9”.
Ky donacion sipas Mehmetit dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me UNDP- në.
“Donacioni i sotëm, ka për qëllim mbështetjen e Policisë së Kosovës në ngritjen edhe më tej të produktivitetit policor në parandalimin e kontrabandimit, zbulimit dhe konfiskimit të armëve ilegale, municionit dhe eksplozivëve”, shtoi ai.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko theksoi se në rrethana të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia, janë të sfiduar të vazhdojnë të sigurojnë shërbime për të gjithë njerëzit në mënyrën më efikase të mundshme.