Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit V.B. dhe D.P. shtatas i Republikës së Shqipërisë, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për veprën penale të kryer në bashkëkryerje blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve nga neni 366 paragrafi 1 KPRK-së.
Kryetari i trupit gjykues i Departamentit për krime të rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pranimit të fajësisë nga të pandehurit, të pandehurin V.B. për veprat penale si në aktakuzë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënimburgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj dhe gjobën në shumën prej njëmijekatërqind (1.400) euro, ndërsa të pandehurën D.P. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënimburgim në kohëzgjatje prej një (1) viti dhe katërqind (400) euro gjobë.
Të pandehurit akuzohen se më 07.04.2020, me qëllim të shitjes kanë poseduar pa autorizim substanca narkotike të llojit kokainë në atë mënyrë që njësia e DHTN-së, në Ferizaj, pas një pune operative dhe gjatë kontrollimit, në trupin e të akuzuarës D.P. dhe atë nën reçipeta është gjetur një qese me substancë narkotike – lloji kokainë me peshë prej 49.07 gramë, e pastaj me pëlqimin e të akuzuarve është kontrolluar banesa ku banonin dhe gjatë kontrollit janë gjetur 5 qese me substancë narkotike kokainë me peshë: 34.39 gr, 9.79 gr, 3.06 gr, 0.35 gr dhe 0.4 gr e që pesha e përgjithshme e narkotikut ishte 96.70 gramë, po ashtu janë gjetur edhe 3 peshore digjitale për matje të narkotikut, të cilat sekuestrohen nga policia.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.