Basketbollisti i Ponte Prizrenit, Urim Zenelaj, është shpallur MVP i xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshjet e xhiros së 22-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll dhuruan përballje interesante, ku derbi ishte ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Ponte Prizrenit, ku prizrenasit fituan 76:92 dhe janë në vendin e parë me 37 pikë, një më shumë se therandasit.
Basketbollisti më i dalluar ishte qendra e Ponte Prizrenit, Urim Zenelaj. Ai u dallua me 18 pikë e 14 kërcime, derisa shtoi edhe dy asistime e dy bllokada. Zenelaj kishte indeksin e lojës 33.
Kjo nuk është hera e parë që Zenelaj zgjedhet MVP, derisa është një nga lojtarët më të dalluar në skuadrën prizrenase.
Ndërkohë, top 5 lojtarët me indeksin më të lartë në xhiron e fundit janë: Tevin Mack (Sigal Prishtina) 36, Brandon Walters (Peja) 36, Urim Zenelaj (Ponte Prizreni) 33, Christian Lutete (Bashkimi) 26 dhe Ivan Koljeviq (Trepça) 26.