Rinumërim të votave në 7 vendvotimeve ku prezent ishte komisionari i përfshirë në incizimin për blerjen e votave

Komisioni Qendror ka marrë vendim për rinumërimin e shtatë vendvotimeve në të cilat komisionar ishte Arbër Krasniqi, i përfshirë në incizimin ku flitet për blerje të votave.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka tha se kjo do të bëhet për të hequr të gjitha dyshimet.

“Kemi rekomandim që ato shtatë vendvotime ku ka qenë prezent ky person të rinumërohen që ta heqim çdo dyshim”, tha Daka.

Valdete Daka shtoi gjithashtu se rinumërimi i votave nuk do të bëhet për subjektin politik AAK, por për të gjithë subjektet dhe të gjitha kandidatët.

Daka tha se menjëherë për këtë rast është njoftuar Prokuroria,e cila ka filluar hetimet.

“Prokuroria do të jetë prezentë në QNR në procesin e rinumërimit të këtyre votave”, tha Daka.

Edhe mbrëmë nga KQZ u bë e ditur se janë të gatshëm për bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit për t’u hetuar këto dyshime që dolën pas publikimit të video-incizimeve.