PZAP pezullon për pesë vite gjashtë komisionarë të një vendvotimi në Suharekë, pas ankesës nga Albena Reshitaj

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka aprovuar ankesën e Albena Reshitaj, kandidates për deputete nga AAK-ja, e cila ka kërkuar rinumërim të votave të saj në vendvotimin 2404A/01R në Suharekë.

Në vendimin e PZAP-së thuhet: “Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të rinumëroj vetëm fletëvotimin për kandidaten për deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Prishtinë në Vendvotimin: 2404A/01R. Rezultati i cili del pas rinumërimit të fletëvotimeve në kutitë e Vendvotimeve si në pikën 2 të këtij dispozitivi të përfshihen në rezultatin përfundimtar”.

Reshitaj ishte ankuar se në këtë vendvotim kishte 31 vota, sipas deklaratës së vëzhgueses Adelina Krasniqi, por se në faqen e KQZ-së figurojnë 0 vota. PZAP ka zhvilluar hetimet dhe nga hetimi në QNR ka konstatuar se Reshitaj kishte 30 vota dhe një ishte e pavlefshme. Kështu që është urdhëruar të rinumërohen votat e saj në këtë vendvotim, e janë pezulluar gjashtë komisionarët në këtë vendvotim, që janë nënshkruar në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve (FRK).

Kryesuesi i vendvotimit Ermal Zenelaj, dhe anëtarët Jehona Zenelaj, Jeton Kokollari, Ernard Gashi, Floriana Zenelaj e Glodiana Zenelaj janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor si kandidat, apo si pjesë administrative e një organi zgjedhor të menaxhuar nën autoritetin e KQZ-së.