Në 23 vjetorin e rënies së familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe manifestimit Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot në Prekaz është hapur ekspozita e fotografit Sefer Aliqkaj.
Janë 15 fotografi që janë realizuar në stinë të ndryshme të kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe të kullave të familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt.
Autori i kësaj ekspozite Sefer Aliqkaj, tha se kjo është ekspozita e tij e dytë që e realizon në Prekaz.
“Me rastin e 23 vjetorit të rënies së familjes Jashari unë e kam hapur ekspozitën time të radhës. Ekspozita është me 15 fotografi të cilat i kam bërë gjatë viteve të fundit. Ka fotografi të veçanta[…]Kjo është ekspozita ime e dytë e realizuar në Prekaz, unë vendosa pikërisht me 5, 6 dhe 7 mars të hapi ekspozitën time”, tha ai.
Ai tha se realizimi i këtyre fotografive nuk ka qenë fare i lehtë, por që tha Prekazi meriton të ketë fotografi të veçanta.
“Janë fotografi të veçanta, është mund i madh për t’u realizuar sepse ka fotografi me borë, me vetëtimë, ne e dimë se çdo moment mund të dëmtohet aparati për shkak të borës ose të shiut, por unë gjithmonë jam munduar të sjelli disa fotografi sepse Prekazi e meriton të ketë fotografi të veçanta dhe në mënyrë artistike”, tha ai.
Duke qenë se fotografon këtë kompleks, Aliqkaj thotë se shpreson që institucionet do të kujdesen për kullat e Jasharajve duke e ditur se ato janë në një gjendje jo të mirë.
“Ne e dimë që është shumë prezent rreziku, po shpresoj që shteti do të ndërmerr diçka dhe do të mënjanohet ky rrezik”, tha ai.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri nesër, kur manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së” do të përmbyllet me “Natën e Zjarreve”.