Basha: Nuk premtoj mrekulli, por normalitet

“75 % e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe 94 % e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Që të fitojë rinia shqiptare duhet të largojmë Edi Ramën, pasi ai ka marrë peng fatet e rinisë shqiptare. Në fytyrat tuaja shoh shpresën, besimin, ndryshimin dhe fitoren e 25 prillit. Fitorja e së mirës në Shqipëri gjithmonë ka pasur fytyrën e rinisë”.

Kështu u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të EDS (European Democrat Students).

Basha tha më tej se Ligji i Arsimit të Lartë u konceptua si një ligj për të nënshtruar rininë. Akti i parë në programin tonë është abrogimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane, tha Basha.

“Ne do të bëjmë të mundur përmes këtij ligji autonominë universitare. Do t’i kthejmë këto universitete në qendra përgatitjeje për hapat e tjerë që ju presin në jetë. Kjo nuk është Shqipëria që duam! Mundësitë e Shqipërisë janë shumë më të mëdha, por këto mundësi janë marrë peng dhe po shpërdorohen nga një kryeministër që mendon vetëm për veten e tij. Gjërat mund të ndryshojnë, gjërat do të ndryshojnë. 25 prilli është ditë ndryshimi dhe shqiptarët janë më të bashkuar dhe më të bindur se kurrë, pavarësisht bindjeve politike”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij./ A2 CNN