Nis seanca ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale

Ka filluar seanca gjyqësore ndaj ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa në Gjykatën Speciale në Hagë.

Transmetimin e drejtpërdrejt mund ta ndiqni në këtë link. 

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera të UÇK’së.

Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së.

Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.