Vasfije Krasniqi siguron 60 mijë vota

Në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, numri katër ishte rezervuar për të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman.

Krasniqi Goodman ka arritur që të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pasi që mori votat e 60 mijë e 885 qytetarëve.

Pak ditë pas zgjedhjeve, Krasniqi Goodman përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pati thënë se se ka marrë mijëra mesazhe që e nxisin dhe e urojnë për të qenë zëri i atyre që përjetuan të njëjtën fatkeqësi si Krasniqi duke nënkuptuar se ka fituar votat për të qenë deputete.

E kjo u konfirmua të enjten kur edhe u publikua lista e plotë e kandidatëve për deputetë të cilët kanë arritur që të fitojnë besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e legjislaturës së tetë.

Vasfije Krasniqi-Goodman, është gruaja e parë në Kosovë që tregoi hapur se ishte përdhunuar gjatë luftës.

Ajo vazhdimisht ka bërë bërë thirrje që autorët e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës të përballen me drejtësinë.

Për krimet e luftës dhe përjetimet e saj, Vasfije Krasniqi kishte rrëfyer edhe në Kongresin Amerikan.