Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka vazhduar sot aksionin e njohur si ‘Subvencioni 2021’, ku këtë herë është arrestuar zyrtari i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Pejës.
Zyrtari A.B është arrestuar në kuadër të aksionin që po zhvillohet tash e sa ditë e që ka të bëjë me subvencionet e bujqësisë.
Lajmi për arrestimin e zyrtarit të komunës së e ka konfirmuar edhe Drejtori i Bujqësisë në Pejë, Mehdi Mulaj.
Mulaj deklaroi se i njëjti është marrë dje nga autoritetet përkatëse.
“Na është thënë se i duhet ta shoqërojnë në stacion policor në Prishtinë dhe nuk është treguar më tepër se pse”, deklaroi ai.
Në aksionin e organizuar javën e kaluar në Ministrinë e Bujqësisë u arrestuan 21 persona të dyshimtë. Ky aksion rezultoi edhe me konfiskimin e mijëra eurove.
Kësisoj nga ky aksion dolën edhe emra të tjerë të dyshimtë, ndër ta edhe zyrtarë nga Këshilli Prokurorial që u arrestuan dje, e zyrtarë të tjerë komunal të ndaluar ditë më parë.