Grumbull i madh i qytetarëve tek Qendra e Regjistrimit, harrohet rreziku nga COVID-19

Në këtë muaj bëhen një vit që nga konfirmimi i rasteve të para me COVID-19. Nga fillimi i pandemisë deri më tani numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus ka arritur në 69 mijë e 679 raste.

Gjatë ditës së djeshme u konfirmuan edhe 467 raste të reja dhe nëntë persona humbën jetën.

Pavarësisht gjithë kësaj situate të rënduar si pasojë e COVID-19, numër i madh i qytetarëve janë parë sot të ngjitur me njëri-tjetrin e shumë pak prej tyre me maska në hyrje të Qendrës së Regjistrimit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në disa fotografi të realizuara pak më parë shihet qartë se numri i qytetarëve të pranishëm në këtë pikë është tejet i madh, njësoj si rreziku i shpërndarjes së këtij virusi në këtë rast.

Kjo qendër ishte problematike edhe muaj më parë, ku numri i qytetarëve të grumbulluar në atë vend ishte tejet i madh dhe kësisoj shumë prej punëtorëve të administratës u infektuan me COVID-19.