Oprah Winfrey ka publikuar promon e intervistës me çiftin e njohur.
Promoja e publikuar është vetëm 30 sekonda e cila paraqet gazetaren Winfrey teksa dëgjohet duke thënë se intervista është e përgjithshme dhe nuk ka tema të cilat është e ndaluar të diskutohen, transmeton lajmi.net.
Në promo, Meghan Markle nuk dëgjohet duke folur kurse Princi Harry deklaron se frika e tij më e madhe ishte që historia të përsëritej, duke iu referuar nënës së tij të ndjerë, Princesha Diana, e cila vdiq në Paris si pasojë e një aksidenti me veturë të shkaktuar nga përndjekja prej paparacëve.
“Unë thjeshtë jam i lehtësuar dhe i lumtur që jam ulur këtu bashkë me gruan time, për të biseduar me ju, sepse nuk mund ta imagjinojë si mund të ketë qenë për të, ta tejkalojë gjithë këtë proces e vetme për disa vjet. E gjithë kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë për ne të dy, por të paktën e kemi pasur njëri-tjetrin pranë”, thotë Princi Harry.
Ndryshe, vëmendje të madhe në këtë intervistë e merr edhe dukja e Dukeshës së Sussexit, e cila e shënon paraqitjen e parë publike prej se u bë i ditur lajmi se është në pritje të fëmijës së dytë.
39-vjeçarja Markle dukej elegante e veshur me një fustan të zi të ilustruar me lule të bardha në kraharor dhe një rrip i cili e theksonte barkun e fryrë të ish-aktores.
Intervista ekskluzive e çiftit më të ndjekur mbretëror me Operah Winfreyn, do të transmetohet të dielën më 7 mars në kanalin “CBS”.
Theksojmë se gjatë këtyre 30 sekondave çifti shiheshin të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit derisa nuk i lëshonin dorën.