Dhëmbë dhe hundë të thyer e lëndime të rënda, policia jep detaje për sulmin ndaj Duriqit

Gazetari i Insajderit, Visar Duriqi, mbrëmë në mesnatë është sulmuar fizikisht nga tre persona.

Policia e Kosovës ka thënë se dyshohet se tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, ka  thënë zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka thënë se policia tashmë ka iniciuar një hetim për zbardhjen e rastit.

“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre dhe në koordimin me prokurorin e shtetit po ndërmerr veprimet vijuese hetimore për rastin lëndim i rëndë trupor”, ka thënë Borovci.