Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik në drejtim të gazetarit të gazetës online Insjaderi, Visar Duriqi.
Duriqi mbrëmë rreth mesnatës para banesës së tij është sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur.
Gazetari për medie ka deklaruar se ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi si pasojë e sulmit fizik i ka dhëmbët dhe hundën e thyer.
Në lidhje me rastin, për medie është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, thuhet në deklaratën e policisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.
AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre.
Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.