Viti 2020 me më pak raste të diagnostikuar me kancer

Arnisa Osmani, është e mbijetuar e kancerit të gjirit. Në Ditën botërore kundër kancerit, ajo ka treguar për dëshirën e madhe për jetën, çka, sipas saj, e ka ndihmuar për ta fituar betejën me këtë sëmundje.

“Gjëja më e lehtë në jetë është dorëzimi. Personi që e kupton se është prekur me kancer, duhet të luftojë, të jetë pozitiv dhe të ketë vullnet në jetë. Kjo vlen për të gjithë personat që tashmë janë diagnostikuar me kancer.Duaje jetën ashtu siç e kam dashur dhe e dua. Beteja është e vështirë. Por, ne duhet të luftojmë që ta fitojmë betejën’’,tha Osmani.

Arben Bislimi, onkolog njëherësh kryetar i shoqatës së onkologëve të Kosovës, tha se një e treta e sëmundjes së kancerit, mund të parandalohet nëse zbulohet me kohë. Ndërkohë që shtoi se kanceri konsiderohet si sëmundja e dytë vdekjeprurëse në mbarë botën.

’Në botë rreth 10 milion njerëz në vit vdesin nga sëmundjet malinje, duke qenë sëmundja e dytë vdekjeprurëse. Por përderisa së paku një e treta e kancerit mund të parandalohet përmes detektimit të hershëm, shmangies së faktorëve të riskut dhe përmes identifikimit të shkaktarëve eventual atëherë gjithmonë arsyet për të vepruar ekzistojnë, tha Bislimi.

Mjekimi i sëmundjeve malinje bëhet në tri hallka, në mënyrë kirurgjikale, përmes mjekimit onkologjik medikamentoz dhe mjekimit me rreze. Që të tri format bëhen edhe në Kosovë, thanë profesionistë shëndetësorë.

Në Kosovë në vitin 2019 kanë qenë 1567 raste të reja më kancer, derisa viti 2020 është përmbyllur me 1370 raste të reja, cka tregon se ka pasur një rënie të lehtë të rasteve të diagnostikuara.