Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me procesin zgjedhor të 14 shkurtit në vend.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
“Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, njofton opinionin se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe prokuroritë themelore, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se për shkak të procesit hetues, informatat që i posedon Prokuroria tani për tani nuk mund të bëhen të ditura për opinionin.
“Për shkak të rëndësisë së hetimeve, konfidencialitetit të procedurës, informatat që kemi në dispozicion aktualisht nuk mund ti ndajmë me publikun ngase mund të dëmtohen hetimet”, thuhet në njoftim.
Ndryshe dje në mbledhjen e KQZ-së, kryetarja Valdete Daka bëri të ditur se Prokuroria Speciale është duke kryer hetime lidhur me disa vota nga diaspora.