Beyonce ka nisur fushatë për mbledhjen e fondeve për qytetarët e pambrojtur të Teksasit

Këngëtarja amerikane, Beyonce i është bashkuar “Adidasit” dhe organizatës, Bread of Life për të mbledhur para për banorët e Teksasit që po luftojnë me pasojat e stuhisë së akullit “Uri”.

Më shumë se 40 njerëz humbën jetën në dhe pas stuhisë së akullit që goditi shtetin teksan disa ditë më parë. Disa miliona njerëz aktualisht jetojnë pa ilaçe, ushqim, ujë, energji elektrike dhe ngrohje.

Aksione të shumta humanitare janë nisur në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe qindra mijëra dollarë janë mbledhur tashmë si ndihma.

Kujtojmë, se kjo nuk është hera e parë që Beyonce ndihmon amerikanët përmes fondacionit “BeyGOOD”. Gjatë vitit 2020, këngëtarja dhuroi vazhdimisht fonde për blerjen e ushqimit, maska mbrojtëse, dezinfektues dhe ilaçe.

Përveç kësaj, fondacioni i saj shpërndau 2.5 milionë për ndërmarrjet më të vogla të kërcënuara nga pandemia, si edhe 500 mijë dollarë për familjet e kërcënuara me dëbim.