Derisa Komisioni Qendror Zgjedhor është duke vazhduar me numërimin e shumë prej votave të zgjedhjeve nacionale të mbajtura më 14 shkurt, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosjet Përparim Kryeziu u deklarua lidhur me këtë proces.
Sipas tij, numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.
Ai tha se e drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themelore e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj.
“E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues. Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, tha ai, transmeton lajmi.net.
Kryeziu shtoi se me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit, që diaspora të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.
“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”.