Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar punën sipas procedurave të parapara.
Aktualisht në këtë qendër janë duke u zhvilluar disa procese, të cilat janë të domosdoshme për t’u kryer në mënyrë që të KQZ-ja të bëjë të mundur shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët
“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar me procesimin e të dhënave nga formularët e rezultateve. Deri tani, nga 2 mijë e 382 vendvotime, janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për 1.661 vendvotime apo rreth 70% si edhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1. 324 vendvotime apo rreth 59%”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Po ashtu, QNR-ja është duke vazhduar me skanimin e listës përfundimtare të votuesve, në të cilën janë nënshkruar votuesit në ditën e zgjedhjeve.
“Deri tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 1.244 vendvotime apo rreth 53% e saj. Ky aktivitet është i domosdoshëm për të na siguruar se nuk ka raste kur ndonjë votues ka marrë pjesë në votim në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht”, ka deklraruar Elezi.
Shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre.
“Siç e dini gjatë periudhës së votimit përmes postës kemi pranuar rreth 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime. Ky proces, ka për qëllim të verifikojë çdo pako dhe vetëm pas disa ditësh do të mund ta dimë saktë se sa është numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit”, ka thënë ai.
Nga procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, deri tani nga 6 mijë e 700 zarfe me fletëvotime janë aprovuar 4 mijë e 811, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 891 zarfe me fletëvotime.
Arsyet se përse janë refuzuar, sipas Elezit, kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit; nga votues të paidentifikuar (votim grupor); nga votues që kanë bashkëngjitur dokumente jo valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë.