Rrëfimi i Demi Lovato për pasojat që ia la mbidoza, nga e cila ka pasur tri goditje në tru dhe një sulm në zemër

Demi Lovato ka treguar se ka pasur tri sulme në tru dhe një sulm në zemër pas mbidozës me drogë në vitin 2018 dhe se mjekët i kishin thënë se ka qenë shumë pranë vdekjes.

Në një fragment të shkurtër të një dokumentari, këngëtarja amerikane ka treguar se për pak ka mundur të vdesë.

“Kam pasur tri goditje në tru, kam pasur një sulm në zemër. Mjekët e mi më thanë se kisha vetëm edhe pesë apo dhjetë minuta”, ka rrëfyer 28-vjeçarja.

Ajo njëherësh u ka thënë gazetarëve se kishte mbetur me dëmtime në tru dhe se akoma e ndjen efektin e tyre.

 

Këto efekte përfshijnë shikimin e turbullt që do të thotë se ajo nuk mund të vozitë dhe ia vështirësojnë shumë leximin.

Në korrik të vitit 2018, Lovato ishte dërguar me urgjencë në spital, pasi ishte gjetur pa ndenja në shtëpinë e saj në Los Angeles.

(Foto: Screenshot/YouTube/Demi Lovato)

Mbidoza me opioide të kombinuara me fentanyl kishte ndodhur vetëm një muaj pasi kishte njoftuar se e kishte shkelur moskonsumimin gjashtëvjeçar të substancave narkotike.

“Kam pasur shumë jetë, si një mace. Jam në jetën time të nëntë”, është shprehur Demi në insertin e dokumentarit “Dancing With The Devil”.

Këngëtarja u ka thënë gazetarëve se arsyeja pse e ka realizuar dokumentarin është që t’u ndihmojë të tjerëve që kanë probleme të ngjashme që t’i tejkalojnë ato.