Në kanalin zyrtar të produksionit Walt Disney është publikuar paraqitja e parë e shkurtër e filmit “Cruella”, në të cilin rolin kryesor do ta luajë Emma Stone.
Aktorja amerikane do ta portretizojë karakterin keqbërës nga filmi “101 Dalmatians” të njohur si Cruella de Vill, ndërsa edhe ngjarja e filmit do të fokusohet te rinia e saj.
Në vitet e fundit janë bërë shumë të popullarizuar karakteret negative në filma, prandaj duket se edhe përqendrimi i Disneyt është në këtë pjesë.
Kritikët e filmit pohojnë se qëllimi i kompanisë së famshme është që përmes këtij projekti të arrijë suksesin e filmit “Joker” që po ashtu fokusohej te karakteri negativ nga filmat për Batmanin.
Krahas Stone, në këtë realizim do të luajnë edhe Emma Thompson, Joel Fry, Paul Walter Hauser, Mark Strong e Emily Beecham.
Craig Gillespie është angazhuar për regjinë, ndërsa është interesant fakti që Glenn Close, e cila e ka luajtur rolin e Cruellas në filmin e vitit 1996, “101 Dalmatians”, është producente ekzekutive e filmit të ri.
“Cruella” pritet të nisë shfaqjen nëpër kinema më 28 maj të këtij viti.