Emra të njohur të futbollit shqiptar nga të dyja anët e kufirit kanë zbritur të martën në fushën e stadiumit të “KF 2 Korriku” në Prishtinë.
Në kuadër të shënimit të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës është zhvilluar ndeshja ndërmjet veteranëve të futbollit të Kosovës dhe veteranëve të futbollit të Shqipërisë, e që u ndoq nga afër edhe nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili para ndeshjes shkëmbeu nga një dhuratë me Sylejman Memën.
Në njërën anë ish-futbollistë të njohur të Kosovës si Muharrem Sahiti, Eroll Salihu, Shaban Baholli, Haxhi Zeka, Bedredin Gjinali dhe në anën tjetër yjet e Kombëtares shqiptare ndër vite si Altin Lala, Alban Bushi, Erion Bogdani, Armend Dallku e Klodian Duro shfaqën lojë atraktive përgjatë 80 minutave, duke dëshmuar se pavarësisht moshës dhe peshës klasi ka mbetur aty.
Edhe pse të dyja palët patën disa raste të mira shënimi në fund rrjetat e portave mbetën të paprekura. Kësisoj, kjo vëllazërore u mbyll baras, derisa tek të gjithë pjesëmarrësit u vërejt dëshira që ndeshje si kjo në të ardhmen të jenë tradicionale dhe të mbushen stadiumet me tifozë, qoftë në Prishtinë apo Tiranë. Kjo ndeshje ishte parashikuar të zhvillohej në stadiumin “Fadil Vokrri”, por u zhvendos në fushën me bari artificial për shkak të reshjeve të mëdha të borës.
Deklaruan pas ndeshjes
Agim Ademi, president i FFK-së: Është kënaqësi e madhe t’i shohësh yjet e futbollit shqiptarë sërish në fushën e gjelbër. Ne si Federatë e organizuam këtë ndeshje në kuadër të shënimit të aktiviteteve shtetërore për Ditën e Pavarësisë. Besoj se në të ardhmen ndeshjet e tilla do të kemi mundësi t’i organizojmë me praninë e tifozëve, ngase këto yje të futbollit na kanë dhënë emocione të mëdha ndër vite dhe kanë bërë që shpesh t’i harrojmë edhe vështirësitë nëpër të cilat kemi kaluar si komb.
Altin Lala: Kjo ishte një ndeshje vëllazërore dhe besoj se do të bëhet çdo vit. Para ndeshjes bisedova me presidentin Ademi dhe u dakorduam që në të ardhmen ndeshjet e këtilla të zhvillohen me shikues dhe të shndërrohen në spektakle futbolli. Kosova ishte në gjendje më të mirë fizike, sepse lojtarët duket se aktivizohen më shpesh, por rëndësi ka fakti që gjithçka kaloi mirë dhe pa dëmtime. Unë vij shpesh në Kosovë dhe kam parë ndryshime shumë pozitive. Madje, do të thosha se edhe Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova pavarësish se është shtet i ri. I uroj gjithë të mirat Kosovës dhe sa më parë të bëhet edhe liberalizimi i vizave sepse kjo do të ishte gjë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm si popujt e tjerë të Evropës.