Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, infektologu Valbon Krasniqi, thotë se nëse merren parasysh ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, përfshirë rikthimin e nxënësve në shkolla, pastaj fushatat e partive politike dhe tubimet në masë, në javët në vazhdim mund të pritet rritje e rasteve me COVID-19.
Krasniqi, në intervistë për REL, nuk ka dashur të komentojë lehtësimin e masave kundër COVID-19 nga Qeveria në detyrë e Kosovë, por ka thënë se aktualisht situata me koronavirus është më e mirë sesa muajt e kaluar dhe se numri prej rreth 500 pacientëve të hospitalizuar është nën kontroll.
Ai ka folur për variantin e ri britanik si dhe për përgatitjet që kanë bërë për vaksinim.
Si është gjendja në Kosovë sa i përket sëmundjes COVID -19 dhe sa po arrihet të menaxhohet situata epidemiologjike?
Krasniqi: Siç keni qenë të informuar në vazhdimësi, sidomos në muajt e fundit kemi një situatë më të qetë sa i përket situatës epidemiologjike të COVID-19 në Kosovë, përfshirë këtu edhe menaxhimin klinik të rasteve. Kur jemi të menaxhimi klinik i pacientëve të prekur nga COVID-19, në këto tri javët e fundit kemi pasur numër më të vogël të pacientëve të shtrirë, numri i tyre është sjellë diku rreth 480 deri në 530 pacientë të shtrirë nëpër të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në QKUK.
Si rezultat i kësaj situate, më 5 janar kemi rikthyer të gjitha shërbimet specialistike nëpër ambulanca specialistike dhe po ashtu kemi rikthyer edhe operacionet në lëmi të caktuara dhe kemi vazhduar në rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve.
A ka bërë që kjo situatë e qetë që po paraqiteni ju, që qeveria në detyrë të marrë masa lehtësuese kundër COVID-19?
Krasniqi: Në fakt, situatën e kemi më të mirë, më të favorshme sesa muajt e kaluar. Muajt nëntor -dhjetor ishin muaj të rëndë për sistemin tonë shëndetësor. Në javën e fundit të nëntorit, numri i pacientëve nëpër klinika tona kishte arritur deri në 1,010 edhe ky numër prej rreth 500 raste ende është i lartë, mirëpo është i menaxhueshëm dhe e kemi nën kontroll situatën.
Prisni që të ketë rritje të numrit të rasteve në javët në vijim?
Krasniqi: Ne po i përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jo vetëm në vend, por edhe në shtetet përreth dhe më gjerë. Jemi dëshmitarë që në shumicën e shteteve janë duke përjetuar një valë të re të rasteve me numër të madh të të infektuarve.
Nëse marrim parasysh ngjarjet të cilat kanë ndodhur në vendin tonë, përfshirë edhe rikthimin e nxënësve në shkolla, më pastajfushata e partive politike, tubimet në masë, ne mund të presim që mund të kemi më shumë raste të reja në javët në vazhdim. Sidoqoftë, ne do ta përcjellim me vëmendje këtë situatë dhe karshi çdo ngjarje të reagojmë me kohë.
Nuk dihet numri i saktë i të infektuarve me variantin e ri të coronavirusit
Në Kosovë javë më parë janë paraqitur edhe rastet e para me variantin e ri britanik të koronavirusit. Deri më tani, sa është numri i të infektuarve në Kosovë me këtë variant?
Krasniqi: Varianti i ri është një virus që është krijuar si rezultat i ndryshimeve mutative, pra mutacioneve që pësojnë viruset. Këto viruse janë të njohur për këto ndryshime dhe nuk është e re diçka për shkencën mjekësore. Deri më tani, kemi tri raste të konfirmuara nga 30 mostra që janë dërguar në Gjermani, tri kanë ardhur me këtë varianti të ri. Është e vështirë të thuhet për numrin e mundshëm të rasteve me këtë varianti të ri, pasi Kosova dhe shumica e shteteve përreth, nuk kanë mundësi të bëjnë sekuencat gjenetike, pra të tipizojnë virusin. Por, ajo që është me rëndësi është se për të njëjtin virus, masat parandaluese janë të njëjta dhe trajtimi është i njëjtë.
A po vazhdon Kosova t’i dërgojë mostrat për analiza jashtë vendit për identifikimin e variantit të ri britanik?
Krasniqi: Për këtë është përgjegjësi e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por mund të them se në aspektin klinik, ne nuk kemi parë ndonjë rëndësi të veçantë për sa i përket tipizimit të këtij varianti.
Kosova tani ka filluar trajtimin e pacientëve me COVID -19 edhe me plazmë konvalescente. Si po vazhdon ky trajtim, a prisni rezultate të efektshme?
Krasniqi: Është duke shkuar shumë mirë. Edhe ne si Kosovë, si shëndetësi, duke përcjellë të arriturat në nivel shkencor kemi filluar të trajtojmë pacientët me plazmë konvalescente. Çka është kjo plazmë? Është plazma e personave të cilët e kanë kaluar COVID-19, dhe të cilët kanë arritur të krijojnë antitrupa.
Deri më tani nuk kemi parë ndonjë efekt të dëmshëm, por për efekte terapeutike të saja mbetet të shihet në vazhdim, pasi që është herët të thuhet konkretisht. Megjithatë, plazma konvalesente nuk është diçka e panjohur për ne, është përdorur edhe më herët tek infeksionet e tilla të ngjashme dhe ne presim që megjithatë të ketë ndikim pozitiv sa i përket trajtimit të rasteve.
Ka interesim të personave që kanë kaluar COVID-19 të dhurojnë plazmën konvalesente?
Krasniqi: Po, ka interesim. Është duke u punuar shumë në këtë drejtim, përfshirë edhe IKSHPK-në, janë listat e pacientëve të cilët kanë qenë të infektuar që janë shëruara nga COVID-19, ata qoftë thirren në mënyra vullnetare, qoftë paraqiten në mënyrë personale… Por, ju bëj thirrje të gjithë atyre që kanë kaluar COVID-19 dhe që ndihen të shëndetshëm, të paraqiten vullnetarisht, pasi që ai mund të jetë i dobishëm për pacientët e tjerë.
Nuk dihet se kur Kosova mund të kthehet në normalitet
Kur pritet saktësisht ardhja e vaksinës në Kosovë, a keni informacione për këtë?
Krasniqi: Ashtu siç edhe ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji.
A janë bërë të gjitha përgatitjet, kushtet që në momentin kur të vjen vaksina të fillohet vaksinimi?
Krasniqi: Qeveria me kohë ka marrë masat, ka hartuar planin detal të vaksinimit, përfshirë grupet e para me të cilët do të fillohet vaksinimi, ka siguruar zinxhirin e ftoftë, të ashtuquajtur në mjekësi, pra aparaturën apo frigoriferët e nevojshëm për të ruajtur vaksinën në kushtet çfarë kërkohet, ka përcaktuar edhe ambientet spitalore dhe ambientet tjera ku do të bëhet vaksinimi dhe tani pritet vetëm ardhja e vaksinës.
Doktor, pasi të fillojë vaksinimi kur Kosova mund të kthehet në normalitet?
Krasniqi: Atë çka kemi mësuar tash e një vit, që nga fillimi i pandemisë me COVID-19, kemi mësuar që duhet të jemi të kujdesshëm me parashikimet sa i përket pandemisë COVID-19. Ende mbetet të shihet efekti i vaksinës në nivel global dhe ende mbetet të shihet dobësimi eventual i virusit sa ka qarkulluar në botë. Vështirë të parashikohet, megjithatë një gjë është e sigurt se vaksinimi do të ndikojë pozitivisht dhe do t’i ndihmojë shteteve që ta kontrollojnë dhe menaxhojnë shumë më mirë përhapjen e virusit. /rel/