Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se gjatë këtyre ditëve, Qeveria e Kosovës ka përmbyllur me sukses ekzekutimin e pagesës prej 20.9 milionë euro për mbi 17,000 fermerë.
“Pagesa e këtyre mjeteve – nga Programi për Rimëkëmbje Ekonomike – është përmbushje e plotë e zotimit tonë për dyfishimin e mbështetjes financiare për bujqësinë si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës”, ka shkruar Bajrami në një postim në Facebook.
Bajrami ka shtuar se gjatë muajit janar e deri në periudhën aktuale, nga PRE 2021, kanë mbështetur financiarisht të vetëpunësuarit, bizneset e grave, bujqësinë, shëndetësinë, policinë, kategoritë në asistencë sociale dhe pensionistët.
“Poashtu, kemi liruar nga pagesa e semestrit veror studentët e nivelit bachelor dhe master të institucioneve të larta arsimore publike, përfshirë edhe studentët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Kemi paguar mbi 1.5 milionë euro për Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive. Rreth 45 milionë euro të paguara; mbi 280,000 përfitues”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/