Artistja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, ka tash e sa ditë që po paralajmëron publikimin e projektit të saj më të ri muzikor.
Ajo është në përfundim e sipër të EP-së (mini-albumit) më të re, që do ta publikojë të plotë të premten.
Kënga e parë e këtij albumi e titulluar “Bang”, është vizualizuar edhe me një klip shumë të veçantë, xhirimet e të cilit janë kryer në Bullgari.
Ajo çfarë e bën edhe më të veçantë këtë klip është paraqitja e këngëtares shqiptare, e cila në këtë video muzikore do të vijë e shfaqur me disa kostume, me elemente tradicionale shqiptare.
Rita prej ditësh ka publikuar në Instagram disa video të ndryshme që paralajmëronin ardhjen e klipit të aj të ri, “Bang”.
Ndërkohë së fundmi, Ora me një tjetër fotografi të veçantë nga xhirimet e klipit ku në theks vihej veshja e saj kombëtare, ajo publikoi edhe orën përkatëse për secilën nga zonat kohore se kur do të ishte i disponueshëm klipi.
Sipas orës lokale të vendit, në Kosovë klipi i ri i artistes shqiptare do të publikohet në orën 19:00.
Rita për këtë projekt ka bashkëpunuar me stilistin kosovar Valdrin Sahiti, i cili ka punuar veshjen kombëtare të artistes në klip, teksa xhirimet janë kryer në objektin e famshëm brutalist dhe kontrovers të Bullgarisë, ‘Buzludzha’ me një leje të veçantë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë.