“Franca është vendi më i pabindur”, prandaj “është e rëndësishme të bindet qeveria franceze se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave”, ka thënë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Ndryshe nga Franca, sa i përket Komisionit Evropian, Von Cramon thotë se brenda këtij institucioni të Bashkimit Evropian gjërat janë të qarta – “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim”.
Ajo shpreson që çështja e vizave do të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Evropian pasi, sipas saj, “vendimi për liberalizimin e vizave varet nga Këshilli”.
“Shpresoj që Këshilli ta ketë atë në agjendën e tyre së shpejti dhe pastaj ata ta vlerësojnë pozitivisht. Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës duhet të përfshihet në diskutim me ato shtete anëtare të BE-së, të cilat ngurrojnë dhe kosovarët duhet të adresojnë pyetjet e tyre”, shtoi ajo.
Von Cramon ka folur për Albanian Post edhe për marrëveshjen e katër shtatorit të vitit të kaluar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën e ka quajtur “ngjarje fushate”.
”Marrëveshja në Uashington nuk ishte një takim i përgatitur mirë dhe qëllimi i saj nuk ishte kurrë të arrihej diçka me Serbisë dhe Kosovës, ishte një ngjarje fushate për zgjedhjet amerikane”.
Sipas saj “në të vërtetë nuk ka shumë rezultate të qarta”.
“Serbia dhe Kosova kanë nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të jetë rezultat i negociatave të gjata, nuk mund të trajtohet si vetëm si ngjarje e këndshme për fotografi”, potencoi Cramon.
Politikanja gjermane ka thënë se Kosovës i mungon stabiliteti politik për t’i finalizuar projektet.
Qeveritë ajo thotë se janë “jetëshkurtra”
“Kosovës i mungon stabiliteti politik dhe qeveritë e mëparshme ishin jetëshkurtra. Një qeveri mund të jetë më e suksesshme vetëm nëse ekziston më shumë, e jo vetëm disa muaj”.
Si sfidë kryesore për Kosovën ajo radhitë luftën kundër korrupsionit.
“Ka vërtet probleme në Kosovë dhe ne duhet të luftojmë kundër korrupsionit. Ekziston një nevojë serioze për të reformuar disa nga institucionet”, thekson Cramon.
Raportuesja për Kosovën ka folur edhe për bisedimet finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar edhe qëllimin përfundimtar të këtyre negociatave.
“BE ka rolin vendimtar në këto bisedime, pasi qëllimi përfundimtar i Serbisë dhe Kosovës është anëtarësimi në BE, kështu që BE është në gjendje të përcaktojë kërkesa të qarta, dhe roli i tyre si një lojtar i jashtëm është gjithashtu i rëndësishëm”.
Krejt në fund të intervistës, Cramon tha se pret zgjedhje të lira në Kosovë, tani kur kanë mbetur tri ditë deri të mbajtja e tyre.
“Është jashtëzakonisht e vështirë të organizosh zgjedhje në një njoftim kaq të shkurtër dhe në mes të pandemisë, autoritetet duhet të punojnë shumë për të siguruar që zgjedhjet po shkojnë mirë”.
“Këtë herë nuk kishte asnjë mundësi për të organizuar një mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve, ka vetëm disa ekspertë ndërkombëtarë në terren, por shpresoj që zgjedhjet të jenë të mirë-organizuara dhe të zhvilluara nga KQZ-ja në Prishtinë”, përfundoi Cramon.