Pak orë pasi kishin filluar punën, zyrtarët kosovarë të Komisionit Qendror Zgjedhor ishin detyruar ta ndërpresin atë.
Kjo për shkak të kundërmimit nga hapja e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga shteti i Serbisë në tetor të vitit 2019, verifikimi të cilave kishte filluar qysh në mëngjes.
Përpos ankesave për kundërmim, zyrtarë të shumtë u ankuan edhe për kruarjen e duarve dhe të fytyrës, e ku nëntë prej tyre u desh të kërkonin ndihmë në Qendrën Klinike Universitare.
Gjithsej ishin 26 zyrtarë të cilët u helmuan nga hapja e zarfeve me vota të ardhura nga shteti fqinj, saktësisht Serbia.
Por, nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë bërë të ditur nëse në këto zgjedhje janë shtuar masat e sigurisë si dhe të mbrojtjes së zyrtarëve të KQZ-së të cilët do të merren drejtpërdrejtë me votat e ardhura nga Serbia.
Valmir Elezi nga KQZ tha se pranimi i këtyre pakove po bëhet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara.
I njëjti theksoi se sipas listës së votuesve nga jashtë vendi, numri i aplikantëve të regjistruar si votues jashtë Kosovë, respektivisht nga Serbia është 160.
Madje theksohet se këtë herë është numër më i vogël i aplikimit për votim nga Serbia.
“Sipas listës së votuesve nga jashtë vendit, numri i aplikuesve të regjistruar si votues jashtë Kosovës, nga Serbia është 160. Pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara”, tha tutje ai.
Gjithashtu Elezi theksoi se aktualisht Komisioni Qendror Zgjedhor është duke pranuar pakot e supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga shtete të ndryshme prej nga janë votuesit e regjistruar gjashtë periudhës së aplikimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit në kuadër të periudhës së votimit përmes postës. Deri më tani numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është 14 mijë e 625”, shtoi ai.
Ndryshe kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën kur qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të institucioneve kryesore në vend, teksa janë 103.582 mijë aplikues jashtë Kosovës, të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme.
Pikërisht me 14 shkurt do të zhvillohen zgjedhjet nacionale, pasi Gjykatë Kushtetuese mori vendim se vota e ish-deputetit Etem Arifi për Qeverinë e Avdullah Hotit, ishte e pavlefshme dhe kësisoj kërkoi nga u.d së presidentes së Kosovës shpalljen e zgjedhjeve, të cilat në koordinim me partitë politike u caktua të jenë me këtë datë.