Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK nuk ka vija të kuqe për koalicione paszgjedhore me asnjë parti.
Hoti po ashtu ka theksuar se LDK ka programin më të mirë qeverisës.
“Në parim, ne nuk kemi vija të kuqe. Punën që po bëjmë është që ne të komunikojmë me qytetarë, me biznese, me të gjitha kategoritë, grupet e qytetarëve, që të marrim besimin e tyre për të dalë të parët në këto zgjedhje. Dhe pastaj, do të ulemi me të gjithë spektrin politik që të arrijmë dakordimet e nevojshme, mbi bazat programore gjithmonë, për të formuar institucionet e vendit”, ka thënë Hoti për REL.
Kandidati për kryeministër ka pohuar se LDK ka vendosur interesat e shtetit përpara interesave partiake.
“Sepse e ka programin më të mirë, sepse historikisht (LDK-ja) i ka vendosur interesat e shtetit të Kosovës dhe interesat e qytetarëve, përpara interesave partiake. Nëse i shihni të dy qeveritë paraprake, përpara neve, në mënyrën se si jemi sjellë njëherë në opozitë dhe pastaj në qeverinë paraprake, do ta shihni që njëherë janë interesat shtetërore që i kemi vendosur përpara”, ka pohuar ai.